Arrestohet një zyrtar policor, dyshohet për ngacmim e dhunim
BKT
Kronika

Arrestohet një zyrtar policor, dyshohet për ngacmim e dhunim

M.Miftari/RTKlive

Inspektorati Policor i Kosovës, respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve, kanë arrestuar sot një zyrtar policor në Gjakovë, me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale të karakterizuar si:“Ngacmimit” dhe “Dhunim”.

Përmes një njoftimi për medie bëhet e ditur se Inspektorati Policor kishte pranuar informacione dy ditë më herët nga Policia e Kosovës dhe ankuesja, e cila ka denoncuar rastin, në të cilin një zyrtar policor dyshohet se ka kryer veprime të kundërligjshme.

“Bazuar në veprimet fillestare hetimore dyshohet se zyrtari policor ka shantazhuar viktimën në këtë rast, përmes disa fotove dhe video incizimeve. Pas pranimit të këtyre informacioneve, hetuesit e IPK-së në koordinim me prokurorinë  kanë ndërmarrë veprime hetimore pas të cilave zyrtari policor  i dyshuar në këtë rast është arrestuar kurse nga prokurori kompetent i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, thuhet në njoftim .

Bëhet e ditur se hetuesit e IPK-së,  në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.

 


MË SHUME NGA Kronika