Arrestohet një i dyshuar për dhunë në familje dhe armë pa leje
B. H. | RTKlive
Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Rahovec si i dyshuar për dhunë në familje dhe mbajtje të armës pa leje.
“Sektori i Hetimeve në kuadër të Stacioni Policor në Rahovec, derisa ishin duke hetuar dhe trajtuar një rast dhune në familje, kanë arritur të sigurojnë informacion se i dyshuari mashkull, shtetas i Republikës së Kosovës, lindur në vitin 1995, përveç që dyshohej për dhunë në familje, kishte në posedim armë në mënyrë të paautorizuar”, thuhet në njoftimin e policisë.
Sipas njoftimit në koordinim me prokurorin e shtetit është kryer kontroll në vendbanimin e të dyshuarit ku është gjetur dhe konfiskuar një pushkë automatike, me një karikator dhe dhjetë (10) copë fishekë.
“Armët dhe municioni janë konfiskuar, ndërsa me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari është ndaluar në mbajtje për 48 orë dhe ndaj tij është iniciuar rast ‘Dhunë në familje’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’”, thuhet tutje në njoftim.























