Krimet ekonomike konfiskojnë mallra të falsifikuara
BKT
Kronika

Krimet ekonomike konfiskojnë mallra të falsifikuara

M.Sh/RTKlive

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit e Policisë së Kosovës, ka sekuestruar në Prishtinë një sasi të konsiderueshme të mallit pa origjinë të prejardhjes si dhe produkte të falsifikuara. Sipas njoftimit të policisë, malli i sekuestrohet përmban shampona, mjaltë për përdorime të ndryshme për potencë si dhe medikamente (kamagra).

“Policia ka pranuar informata relevante se një subjekt biznesor, i cili operon në kryeqytet, bën shitjen e produkteve të ndryshme me shumicë si suplemente të ndryshme, shampona, mjaltë për përdorime të ndryshme për potencë (kamagra etj,) të cilat produkte dyshohet se janë pa origjinë të prejardhjes, disa produkte të falsifikuara dhe dyshohet për ndërrim të afatit të skadencës së produkteve”, thuhet në njoftim.

Sipas policisë, Krimet Ekonomike në bashkëveprim me Inspektoratin e Tregut nga Ministria e Industrisë Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, kanë ndërmarr veprime në teren lidhur me informatën e lartcekur. Gjatë këtij operacioni është kryer kontroll në subjektin biznesor të dyshuar në tri lokacione në Prishtinë.

Gjatë kontrollimit të subjektit biznesor është hasur sasi e konsiderueshme e mallrave për të cilat pronari nuk ka mundur t’i paraqesë dokumentet e origjinës së këtij malli. Lidhur me këtë është njoftuar Dogana e Kosovës-Njësia e Antikontrabandës të cilët kanë dal në vendin e ngjarjes duke u bashkuar në operacion me hetuesit e PK-së dhe Inspektoratin e MINT.

“Në këtë rast Dogana e Kosovës ka sekuestruar sasi të konsiderueshme të mallrave, të dyshuara si të kontrabanduara, ndërsa Inspektorati i tregut ka bërë bllombimin e depos deri në përfundim të rastit nga Dogana e Kosovës. Operacioni është në proces nga Policia e Kosovës, Dogana e Kosovës, Inspektorët sanitarë dhe zyrtarët tjerë të përfshirë në rast lidhur me kontrollimin e këtij subjekti biznesor”, thuhet më tej në njoftim.

I dyshuari me iniciale (G.T.) është sjell për intervistim, si person i dyshuar lidhur me dyshimet për veprat penale: “Kontrabandim i mallrave” dhe ‘’Shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore ose tarifave akcizore’’. Lidhur me këtë rast është njoftuar Prokurori kompetent nga PTH-Prishtinë dhe me rekomandimin e tij në këtë fazë personi i dyshuar lirohet në procedurë të rregullt.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e krimeve në përgjithësi, përfshirë luftën e pa kompromis edhe kundër krimeve ekonomike që në një mënyrë apo tjetër rrezikojnë jetën dhe mirëqenien e qytetarëve tanë, thuhet në fund të kumtesës së policisë.


MË SHUME NGA Kronika