Vrasja e 14 vjeçares në Shkup, i dyshuari ndalohet në Turqi|Video
Besnik Iseni / Shkup, RTK
Rast i rëndë ndodhi para disa ditësh edhe në Maqedoninë e Veriut, ku një vajzë 14 vjeçe u rrëmbye e më pas u gjet e vdekur. Për këtë akt, janë identifikuar si të dyshuar gjashtë persona, njëri prej të cilëve është ndaluar në Turqi. Shkupi zyrtar ka nënshkruar kërkesën për ekstradim.
Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski,në një konferencë për medie bëri të ditur se Ljupço Palevski - Panço, i dyshuari kryesor për vrasjen e 14-vjeçares Vanja Gjorçevska, është ndaluar nga policia në Turqi.
“Sapo morëm njoftim nga kolegët tanë në Turqi se krijuesi, planifikuesi, koordinatori kryesor dhe ekzekutuesi i drejtpërdrejtë është kapur dhe është privuar nga liria në territorin e tyre", tha Oliver Spasovski, ministër i Brendshëm i Maqedonisë së Veriut
Ndërkohë,ministri i Drejtësisë Krenar Lloga nënshkroi kërkesën për ekstradimin e Ljupço Palevskit nga Turqia.
Ai pret nga autoritetet turke që t'i përgjigjen pozitivisht kërkesës për ekstradim.
Gjykata Themelore në Shkup u ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditëve katër të dyshuarve tjerë për vrasjen e 14-vjeçares, në mesin e të cilëve është edhe babai i sajë, Aleksandër Gjorçevski.
E mitura u gjet e vrarë më 3 dhjetor në afërsi të Shkupit, ndërsa e zhdukur ishte shpallur më 27 nëntor pas denoncimit nga nëna e saj.























