Ngritet aktakuzë për grabitje në zyrat e operatorit telefonik në Prizren
N.M. /RTKlive
Prokuroria Themelore e Prizrenit njofton se ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit B.L., i cili gjendet në paraburgim, për shkak të dyshimit të bazuar e ka kryer veprën penale, “Grabitja”.
Sipas aktakuzës i pandehuri me 08.10.2023, në Prizren, saktësisht në zyrat e operatorit telefonik me përdorim të forcës dhe kanosjes serioze për të sulmuar jetën apo trupin e personit tjetër, përvetësoi pasurinë e luajtshme të të dëmtuarës “T.K.- Sh.A”.
“Kjo me qëllim që t’i sjellë vetes dobi pasurore të kundërligjshme, në atë mënyrë që sapo hyn brenda në objekt ofrohet te punëtorja – e dëmtuara D.T., të cilës i kërkon informata rreth ofertave, e dëmtuara pasi i merr numrin e telefonit dhe derisa ishte duke i shpjeguar ofertat, në ato momente i pandehuri e nxjerrë briskun dhe nën kërcënim të të njëjtit i hedhet mbi trup, me forcë i zgjat duart tek arka dhe duke e larguar të dëmtuarën nga tavolina e godet të njëjtën në fytyrë dhe qafë dhe i shkakton lëndime të ka marr një shumë të hollash, dhe është larguar nga vendi i ngjarjes”, thuhet tutje në njoftim.
Bëhet e ditur se gjatë ikjes ai ka hedhur briskun, mjet ky me të cilin e kishte kryer veprën penale.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.























