Dy të arrestuar për rënien e çatisë së ndërtesës së Komunës së Prishtinës
E. Hoti / RTKlive
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se janë ndaluar dy persona të dyshuar në rastin e rënies së çatisë të ndërtesës së Komunës së Prishtinës.
Sipas njoftimit, njëri nga ta është zyrtar i Komunës së Prishtinës, përderisa personi tjetër i ndaluar është person përgjegjës i kompanisë që kreu punimet në objektin e komunës.
Më 18 janar, çatia e objektit të Kadastrit të Komunës së Prishtinës kishte rënë. Nga ky incident u lëndua rëndë një qytetare e Kosovës dhe gjendja shëndetësore e saj, sipas njoftimit mbetet kritike.
“Sot me vendim të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar dy (2) persona të dyshuar në këtë rast, njëri nga ta është zyrtar i Komunës së Prishtinës me inicialet Y.J., përderisa personi tjetër i ndaluar me aktvendim të prokurorit është person përgjegjës i Kompanisë punuese për vend punishten e kompanisë në fjalë me inicialet B.B”, thuhet në njoftim.
Po ashtu bëhet e ditur se nga ana e Prokurorit të Shtetit është angazhuar eksperti gjyqësor nga lëmi i ndërtimtarisë në këtë çështje penale, në të cilën po vazhdojnë të zhvillohen hetime në koordinim me institucionet relevante.
Sot, përmes një konference për media, nga Komuna e Prishtinës u prezantua një raport lidhur me rrëzimin e çatisë.
Ekspertët e angazhuar nga komuna gjetën se ka pasur shkelje gjatë ndërtimit të kulmit.
Ndërsa 23 vjeçarja që u lëndua pasi e kishin zënë rrënojat e një pjese të kulmit të objektit të Komunës në lagjen ‘Arbëria’ në kryeqytet. ende gjendet në mjekim intensiv në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.























