Familja e konfirmon ndalimin e Hasan Kraniqit nga polica bullgare
BKT
Kronika

Familja e konfirmon ndalimin e Hasan Kraniqit nga polica bullgare

Islam Haxhiu / RTK

(E plotësuar) Lajmin për ndalimin e kryeshefit të KRU “Gjakova”, Hasan Krasniqi, nga autoritetet bullgare, pasditen e sotme e kanë konfirmuar familjarët e tij.

Në emër të familjes, Muhamet Krasniqi, është shprehur i sigurt në pafajësinë e vëllait të tyre dhe se sipas tij, Hasani shumë shpejt do të lirohet. Këtë, thotë Muhameti, ua ka konfirmuar edhe avokati mbrojtës.

“Po është e vërtetë që vëllanë tonë e kanë ndalur në Bullgari. Është një keqkuptim në ndalesën e tij. Ne si familje kemi angazhuar një avokat lidhur me këtë ndalesë dhe së shpejti do të lirohet sepse është i pafajshëm. Ne besojmë në pafajësinë e tij. Është një rast një keqkuptim para dy viteve që ka ndodhë, prandaj besoj që shumë shpejt do të vjen në shtëpi”, ka thënë ai.

Krasniqi shprehet i habitur me informacionet e pavërteta, siç thotë ai, të disa portaleve, lidhur me këtë rast.

"Është për keqardhje sepse po çuditemi edhe ne si familje duke e njohur vëllanë tonë, duke e njohur punën e tij që e bënë, vërtetë po na vjen keq çka po shohim, e çka po shkruajnë portalet, po japin të pavërteta dhe kjo na brengosë si familje ,po le të mbetët në ndërgjegjen e tyre", ka theksuar ai.

Sipas raportimeve në media, por të pakonfirmuara nga Policia e Kosovës, Krasniqi është arrestuar në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar i lëshuar ndaj tij nga policia italiane nën dyshimet për trafikimin me qenie njerëzore.

Dyshimet për arrestim të kryeshefit të KRU ‘Gjakova’, ende nuk konfirmohen

Pas raportimeve në gazetën "Reporteri" se në Bullgari është arrestuar kryeshefi i KRU “Gjakova”, Hasan Krasniqi, zyrtarë të këtij institucioni thanë se nuk janë në dijeni lidhur me këtë rast. Ata as nuk e kanë pohuar e as mohuar një gjë të tillë.

E kontaktuar përmes telefonit, zëdhënësja e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit "Gjakova", Dafina Syla- Dina tha për RTK-në se krejt çka dimë deri më tash është fakti se kryeshefi Krasniqi ndodhet në pushim vjetor.

RTK poashtu ka kontaktuar edhe me Policinë e Gjakovës. Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj tha se deri më tash nuk kemi marrë asnjë informacion apo njoftim lidhur me arrestimin e kryeshefit të KRU "Gjakova".

Sipas raportimeve në media, por të pakonfirmuara nga Policia e Kosovës, Krasniqi është arrestuar në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar i lëshuar ndaj tij nga Policia italiane nën dyshimet për trafikimin me qenie njerëzore.

Në zgjedhjet e fundit lokale Krasniqi, kishte dështuar te zgjedhjet komunale nga radhët e LVV, ndërsa në janar të 2022 , nga Qeveria e Kosovës është emëruar kryeshef ekzekutiv në KRU “Gjakova”.


MË SHUME NGA Kronika