Njëri nga të plagosurit në Lupç të Poshtëm në rrezik për jetë
BKT
Foto: Edina Avdiu/RTK
Kronika

Njëri nga të plagosurit në Lupç të Poshtëm në rrezik për jetë

E. Avdiu/M.Shefkiu/RTKlive

(E përditësuar 19:15) Njëri nga katër të plagosurve në Lupç të Poshtëm të Podujevës është në rrezik për jetë, deklaroi mjeku kujdestar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Sipas tij, i plagosuri rreth 50 vjeç, është në gjendje të rëndë, ndërsa dy të tjerë në moshë më të re, kanë plagë të lehtë, ka njoftuar mjeku kujdestar në Klinikën Emergjente, Agron Çitaku.

E Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se një person është arrestuar, e rasti po trajtohet si “vrasje në tentativë” me qëllim të zbardhjes së ngjarjes.

“Ju njoftojmë se pas pranimit të informatës nga policia, prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Renda, ka dalë në vendngjarje. Nga hetimet fillestare dyshohet se pas një mosmarrëveshje mes disa personave (familjarë), në fshatin Lupç, si pasoje e të shtënave me arme zjarri dhe përdorimit të thikës, janë lënduar katër (4) persona, të cilët janë dërguar për të marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor, derisa një (1) person i dyshuar në këtë ngjarje është shoqëruar në stacion policor për t’u intervistuar”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Prokurori i Shtetit, sipas të njëjtit njoftim, në koordinim me policinë janë duke i ndërmarrë veprimet hetimore në drejtim të veprës penale ‘Vrasja në tentativë’, me qëllim të sqarimit të rrethanave të këtij rasti.

Të shtëna me armë zjarri në Lupç të Poshtëm, plagosen katër persona

Katër persona janë plagosur të mërkurën rreth orës 16:00 në fshatin Lupç të Poshtëm të Podujevës. Njofton Policia e Kosovës. Tre nga të plagosurit, sipas njoftimit, janë nga arma e zjarrit ndërsa njëri nga therja me thikë.

“Sot rreth orës 16:00 kemi marrë informatën për të shtëna me armë zjarri në fshatin Lupç të Podujevës. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes  dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme. Bazuar në të dhënat e deritanishme në këtë rast janë plagosur nga arma e zjarrit tre persona, ndërsa një person ka pësuar lëndime nga arma e ftohtë (thikë)”, ka thënë për RTK-në, Flora Ahmeti, zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës.

Sipas saj, hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin  veprimet hetimore për  ndriçimin e plotë të rastit.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen Menxhiq afër hekurudhës, ndërsa ende nuk dihen arsyet e kësaj gjuajtjeje

Ekip i RTK-së është edhe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, për të marrë vesh se si është gjendja e të plagosurve.  

Aktualisht katër të plagosurit po marrin trajtim në QKUK, ndërsa ende nuk dihet si është gjendja e tyre shëndetësore.

Pranë Klinikës Emergjente në QKUK ndodhet edhe një veturë me xhama të thyer që dyshohet se ka qenë në vendin ku ka ndodhur ngjarja.

Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e pesë (5) personave të dyshuar në këtë rast, për shkak të veprës penale "Vrasja në tentative". Personat e dyshuar të cilët janë duke u trajtuar në QKUK janë nënë masën e sigurisë nga policia.


MË SHUME NGA Kronika