Inskenoi rrejshëm dhunimin dhe grabitjen, arrestohet e dyshuara në Gjilan
BKT
Kronika

Inskenoi rrejshëm dhunimin dhe grabitjen, arrestohet e dyshuara në Gjilan

M.Sh/RTKlive

Prokuroria Themelore në Gjilan në koordinim me Policinë e Kosovës, pas hetimeve intensive ka arritur ta ndalojnë të dyshuarën me inicialet N.R, për shkak të veprës penale ‘’Lajmërimi apo kallëzimi i rremë’’. E dyshuara, kishte inskenuar më herët një grabitje dhe dhunim në një rrugë periferike të Gjilanit.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, e dyshuara më datë 25 Maj 2024, rreth orës 00:56, ka raportuar se derisa kishte qenë duke ecur tek varrezat e qytetit në Gjilan, së bashku me djalin e saj, ishte ndaluar nga dy persona të maskuar, të cilët nën kërcenim e kishin tërhequr brenda rrethojës së varrezave, ku pastaj sipas saj, e kishin dhunuar seksualisht dhe ia kishin grabitur me forcë stolitë e arit.

“Prokuroria Themelore në Gjilan, në koordinim të plotë me Njësinë e Hetimeve Rajonale në Gjilan, me qëllim të zbardhjes së këtij rasti kanë ndërmarrë veprime intensive hetimore, ku bazuar në provat e marra, deklarimet e palëve të përfshira në rast, raportet mjekësore nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, analizimit të shumë materialeve me video-incizime janë siguruar dëshmi se gjithë ngjarja ka qenë një inskenim dhe e njëjta ka raportuar rrejshëm me rastin e lajmërimit të saj në polici”, njoftoi prokuroria.

Me urdhër të prokurorit, e dyshuara gjendet në ndalim 48 orësh dhe ndaj të njëjtës, sipas njoftimit, brenda afatit ligjor do të vendoset rreth masës për sigurimin e pranisë në procedurë penale.


MË SHUME NGA Kronika