Mitrovicë, mori ryshfet - arrestohet zyrtari komunal
BKT
Kronika

Mitrovicë, mori ryshfet - arrestohet zyrtari komunal

K. K. / RTKlive

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar zyrtarin komunal në Mitrovicë të Jugut, B.S, pasi dyshohet se i ka kërkuar ryshfet një qytetari për rregullimin e dokumentacionit për përfitimin e një grandi që lidhet me ri-atdhesim.

Sipas njoftimit të policisë, lidhur me këtë është iniciuar rasti ‘marrja e ryshfetit’, teksa është njoftuar edhe prokurori i çështjes, i cili të dyshuarit i ka caktuar masën e ndalimit policor prej 48 orë.

“Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), përkatësisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Korrupsionit (NjHKEK) - Mitrovice Jug, pas një informate (denoncimi) lidhur me dyshimin se personi i dyshuar B.S.,(viti i lindjes 1961, mashkull kosovar), në cilësi të personit zyrtar komunal, ka kërkuar ryshfet nga një qytetar për rregullimin e dokumentacionit për përfitimin e një GRANDI që lidhet me ri-atdhesimin”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Tutje thuhet se i dyshuari është arrestuar në flagrancë duke e marrë ryshfet.

“Hetuesit policorë nga NjRHKEK-Mitrovicë Jug, në koordinim me prokurorinë, më 04.07.2024 rreth orës 12:20, në sheshin ,,Isa Boletini” në Mitrovicë ka arrestuar në flagrancë të dyshuarin pasi i njëjti ka marrë ryshfetin në shumën prej 200 eurove”, thuhet tutje në njoftim.

Hetimi për rastin është zhvilluar me aplikim të masave të fshehta hetimore dhe për zhvillimin e operacionit, policia ka pasur urdhëresë të lëshuar nga Gjykata Themelore e Mitrovicës – Departamenti për Krime të Rënda.


MË SHUME NGA Kronika