Arrestohet një person për kanosje ndaj gazetarëve të portalit “Mitropol”
Rinesa Pukaj/RTKLive
Është arrestuar një person nga Vushtrria i dyshuar për kërcenimet ndaj gazetarëve të portalit “Mitropol” nga Mitrovica.
Përmes një komunikate për media Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka bërë të ditur se kanosja ka qenë shkaku i një shkrimi të portalit për vendosjen e një mini-parku argëtues në sheshin e Vushtrrisë.
“Me këto veprime i dyshuari ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181 të Kodit
Penal të Republikës së Kosovës. I dyshuari, me vendim të prokurorit gjendet në ndalim 48 orësh.”, thuhet ndër të tjerash në komunikatë.
Lidhur me këcenimet kundër portalit “Mitropol” ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK). Përmes një shkrimi në rrjetin social “Facebook”, AGK-ja këto kërcënime i ka quajtur shqetësuese dhe të papranueshme.
“Gazetarët, kudo në Kosovë, duhet të jenë në gjendje që punën e tyre në interes të publikut, ta bëjnë pa u penguar”, thuhet në postimin e AGK-së.























