Plagosja e gruas në Fushë Kosovë, arrestohet edhe një person
Emine Hoti / RTKlive
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se për rastin e plagosjes së gruas nga bashkëshorti i saj mëngjesin e ditës së djeshme në Fushë Kosovë është arrestuar edhe një person i dytë.
Në raportin 24-orësh thuhet se është arrestuar edhe një burrë tjetër pas dyshimeve se ka marrë armën e cila është përdorur, për ta larguar nga vendi i ngjarjes.
“Lidhur me rastin janë arrestuar dy të dyshuar kosovarë njëri nën dyshimin se ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës kosovare, ndërsa i dyshuar tjetër pas dyshimeve se ka marrë armën e cila është përdorur, për ta larguar nga vendi i ngjarjes”, thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se viktima është dërguar në QKUK për tretman mjekësor dhe sipas mjekëve është jashtë rrezikut për jetë.
Policia e Kosovës tha se pistoleta me tre fishekë dhe tri gëzhoja janë sekuestruar, teksa me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.
I dyshuari I.A. më datën 2 gusht ishte raportuar nga bashkëshortja për “dhunë në familje”. Atij i ishte caktuar masa për të mos iu afruar bashkëshortes.























