Arrestohet një person i kërkuar për vrasje në tentativë
K. K. / RTKlive
Policia e Kosovës ka njoftuar se dje nga zyrtarët policorë të Podujevës, në rrugën "Zahir Pajaziti" në Podujevë, është ndaluar një person i cili kërkohej me urdhërarrest për një rast të vrasjes në tentativë.
Sipas policisë, personit të dyshuar L. K., mashkull, 28 vjeç, (i cili ka paraqitur dokumente të dikujt tjetër), policia i ka gjetur dhe sekuestruar: 1 armë zjarri, 1 thikë, sasi të narkotikëve dhe një motoçikletë.
Më tutje në njoftim thuhet se, pas një hetimi fillestar, policia ka kryer edhe një aksion tjetër në afërsi të një lokali (po në të njëjtën rrugë), ku ka sekuestruar: një çantë me një shumë parash, një armë zjarri dhe një motoçikletë.
“Ndaj personit të dyshuar është hapur rast për veprat ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të armës’ si dhe për ‘posedim të paautorizuar të substancave psikotrope, apo analoge’, ndërkohë që policia është në kërkim të një personi tjetër që ndërlidhet me veprat e sipërshënuara”, thuhet në njoftim.

























