Vidhen dy vetura në Ferizaj dhe një në Kaçanik
E.Hoti RTKlive
Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë 24-orëve të fundit janë vjedhur dy vetura në Ferizaj dhe një tjetër në Kaçanik.
Sipas Policisë, ankuesi në Ferizaj ka raportuar se dy të dyshuar të maskuar, kanë hyrë brenda shtëpisë së tij të cilën e kanë demoluar dhe i kanë vjedhur dy automjete me targa vendore.
“Të dyshuarit me veturat e vjedhura janë larguar në drejtim të panjohur, rasti i nënshtrohet procedurave hetimore”, ka njoftuar Policia e Kosovës në raportin 24 orësh.
Policia ka njoftuar se një veturë është vjedhur edhe në Kaçanik.
“Është raportuar se nga garazhi i ankuesit mashkull kosovar është vjedhur vetura e tij me targa vendore”, thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se të dyja rastet janë iniciuar si “Vjedhje e rëndë/ vjedhje e automjeteve” dhe po hetohen nga organet e rendit.























