Për një javë në Prishtinë u sekuestruan 5 armë zjarri
V.S|RTKlive
Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë javës së kaluar nga zyrtarët policor të rajonit Prishtinës në lokacione të ndryshme e aksione të ndara, janë realizuar 306 urdhëresa të gjykatës, prej tyre 88 urdhëresa për vepra penale, ndërsa të tjerat për kundërvajtje, seanca, verifikime.
“Konform urdhëresave, pas përfundimit të procedurave policore, personat e dënuar me burgim janë dërguar për vuajtje të dënimit, ndërsa personat e dënuar me gjobë, janë liruar, pasi të njëjtit kanë kryer obligimet e caktuara në urdhëresa”, thuhet tutje në njoftim.
Ndërkohë, Policia aktivitete i ka shtrirë edhe në segmente të tjera të sigurisë dhe sipas informacionit gjatë së njëjtës periudhë ka sekuestruar 5 armë zjarri, të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm.
Në po të njëjtën periudhë kohore, Policia ka shqiptuar 4288 gjoba për lloje të ndryshme të kundërvajtjeve dhe shkeljeve të kodit rrugor.























