I shkaktuan dëm mbi 1 milionësh viktimës, arrestohen 6 të dyshuar për fajde
V.S|RTKlive
Më shumë se 1 milion euro është shuma që gjashtë të dyshuarit për fajde të cilët tashmë kanë rënë në prangat e policisë i kishin shkaktuar viktimës duke arritur të përfitonin nga ai kundërligjshëm shuma të mëdha të parave si dhe prona të paluajtshme dhe të luajtshme si formë e interesit nga veprimtaria e fajdesë.
Gjashtë të dyshuarit që u arrestuan një ditë më parë në gjashtë lokacione të ndryshme në regjionin e Prizrenit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.
Siç bëhet e ditur në raportin 24 orësh në këtë operacion të gjerë të realizuar nga Policia e Kosovës në vendbanimet e personave të dyshuar janë sekuestruar 20 njësi banesore dhe lokale afariste, 5 automjete, 5 armë dhe municion të kalibrit të ndryshëm, kontrata, para kontrata, të holla të gatshme, prova digjitale, si dhe janë bllokuar llogarite bankare të personave të dyshuar.
“Të dyshuarit në këtë rast me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë, kanë kontraktuar shuma dukshëm jo proporcionale të pasurisë, në këmbim të shërbimit, dhënies së borxhit, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të viktimës”, thuhet tutje në njoftim.
“Të dyshuarit kanë arritur të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme nga viktima shuma të mëdha të parave si dhe prona të paluajtshme dhe të luajtshme si formë e interesit nga veprimtaria e fajdesë, vlera e të cilave kalon shumën mbi 1 milion euro. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, janë detajet këto që zbardhi komunikata e Policisë së Kosovës.























