Paraburgim për të dyshuarin që pagoi të miturit t’i vënë flaken një veture
V.S|RTKlive
I është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji, të pandehurit E.M. nën dyshimet e bazuara se i njëjti ka kryer veprën penale - zjarrëvënie.
Sipas Gjykatës Themelore në Ferizaj, ekziston dyshimi i bazuar, se më 24 tetor në Ferizaj i pandehuri me dashje ka shtyrë dy të miturit që të kryejnë veprën penale zjarrëvënia, duke i paguar me çmim prej 1 mijë euro t’i vejnë zjarrin veturës së të dëmtuarin A.D. si mllef në lidhje me sjelljen që ky i fundit kishte ndaj të dashurës së të pandehurit.
“Kështu të miturit rreth orës 03:26 në parkingun e qendrës tregtare në Ferizaj, i mituri (1) me një çekan thyen dritaren e derës së veturës së të dëmtuarit, e pastaj i mituri (2) hedh benzinë në brendi të veturës dhe i`a vë flakën, e cila dëmtohet tërësisht. Vlera e dëmit të shkaktuar është rreth 19 mijë euro”, thuhet në njoftimin e themelores në Ferizaj.























