Policia kontrollon katër shkolla në Mitrovicë, sekuestrohen armë të ftohta
V.Th. / RTKlive
Tri thika dhe dy boksa hekuri janë zbuluar dhe konfiskuar nga Drejtoria Rajonale e Mitrovicës së Jugut gjatë një kontrolli të kryer në katër shkolla të mesme të larta në Mitrovicë të Jugut, më datat 4 dhe 5 nëntor 2024.
Sipas policisë qëllimi i këtij aksioni ka qenë parandalimi i bartjes dhe posedimit të mjeteve të rrezikshme dhe të kundërligjshme.
“Me qëllim të parandalimit të bartjes dhe posedimit të mjeteve të rrezikshme dhe të kundërligjshme janë zbatuar masa sigurie përmes urdhër- kontrollit të lëshuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë me ç‘rast janë kontrolluar nxënësit e katër shkollave të mesme të larta në Mitrovicë. Gjatë kontrollit të ditës së sotme prezent ka qenë edhe një prokuror i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë i cili ka mbikëqyrur procesin e kontrollit”, thuhet në njoftim.
Policia e Kosovës ka theksuar se është e përkushtuar për bashkëpunim të ngushtë me autoritetet shkollore për të parandaluar veprat penale, posedimin e mjeteve të kundërligjshme dhe për të ofruar një mjedis të sigurt në shkolla.























