Tentativë vrasjeje dhe sulm ndaj policëve në Gjakovë, ndalohen 2 të dyshuar
G.K/RTKlive
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar për ndalimin e dy personave të dyshuar për përfshirje në dy raste të rënda kriminale në në fshat të Gjakovës
Sipas Prokurorisë, i dyshuari P.B. është arrestuar dhe ndaluar për 48 orë, pasi dyshohet se për shkak të një mosmarrëveshjeje të mëhershme ka tentuar të privojë nga jeta viktimën Gj.B., duke shtënë me armë zjarri në drejtim të tij. Për këtë rast, Prokuroria ka ngritur dyshime të bazuara për kryerjen e veprës penale “Vrasje në tentativë”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Në të njëjtin rast, zyrtarët policorë kanë ndaluar edhe të dyshuarin tjetër, Z.B., i cili dyshohet se gjatë bastisjes në shtëpinë e tij ka sulmuar një zyrtar policor. Për këtë arsye, ndaj tij rëndojnë akuzat për veprat penale “Sulmi ndaj personit zyrtar” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Prokuroria ka bërë të ditur se ndaj të dyshuarve do të kërkohet masa e paraburgimit brenda afatit ligjor, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë në vijim.























