E zhdukur nga nëntori, policia kërkon ndihmë për 26 vjeçaren
V.S|RTKlive
Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmën e qytetarëve të cilët mund të kenë informacione për Arianita Gajtani e raportuar e zhdukur nga familjarët qysh nga 20 nëntori i vitit 2024. Pavarësisht hetimeve e kërkimeve ende nuk dihet asgjë për fatin e 26 vjeçares nga Lipjani. Prandaj Policia e Kosovës ka kërkuar që kushdo që ka informacione rreth saj të njoftojnë në numrin 192.
Siç ka njoftuar Policia e Kosovës, deri tash janë ndërmarrë një varg veprimesh që do të qonin në gjetjen e vendndodhjes së personit si dhe është bërë edhe kontrollimi i hyrje- daljeve, në të gjitha pikat kufitare.
“Me datë 20.11.2024, në polici është raportuar për një person të zhdukur. Bëhet fjalë për personin, Arianita Gajtani e lindur në vitin 1999, banuese në Lipjan. Që nga dita e raportimit deri më tani, njësitet policore të hetimeve, kërkimeve si dhe patrullat në koordinim me prokurorinë përkatëse dhe në bashkëpunim të ngushtë me familjarët, kanë ndërmarrë një varg veprimesh si: -intervistime të personave që mund të ndihmojnë në gjetjen e vendndodhjes së personit, -kontrollimi i hyrje- daljeve, në të gjitha pikat kufitare, -kërkime në zona që personi kishte frekuentuar zakonisht (ambiente të mbyllura dhe të hapura), -analizimi dhe hetimi i çdo lloj informacioni që lidhet me personin etj. Edhe pse veprimet dhe kërkimet policore janë duke vazhduar, pas marrjes së autorizimit nga ana e prokurorit të shtetit, nga ana juaj kërkojmë kontributin tuaj qytetar. Të gjithë ata që kanë çfarëdo lloj informacioni, që ndërlidhet me të, t’i përcjellin ato policisë përmes numrit 192”, thuhet në kërkesën e policisë.























