Apeli vërteton dënimin me burgim të përjetshëm ndaj Dardan Krivaqës
BKT
Kronika

Apeli vërteton dënimin me burgim të përjetshëm ndaj Dardan Krivaqës

E. Hoti / RTKlive

Gjykata e Apelit e Kosovës ka vërtetuar dënimin me burgim të përjetshëm ndaj Dardan Krivaqës, i cili është shpallur fajtor për vrasjen e Marigona Osmanit.

Dardan Krivaça akuzohet se ka vrarë Marigona Osmanin.Ajo ka qenë 18-vjeçare kur është vrarë, më 22 gusht të vitit 2021, në banesën e Krivaqës në qytetin e Ferizajt.

Në njoftimin e Apelit thuhet se përveç vërtetimit të dënimit të Krivaqës, që u gjet fajtor për veprën “vrasje e rëndë”, është vërtetuar edhe dënimi me 15 vjet burgim ndaj Arbër Sejdiut, i dënuar për veprën “ndihmë në kryerje të vrasjes së rëndë”.

“Gjykata e Apelit e Kosovës, i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, të përfaqësuesit të të dëmtuarve M.O. dhe V.O. dhe të mbrojtësve të të akuzuarve D.K. dhe A.S., duke e vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj-Departamenti për Krime të Rënda, me nr. 2021:186679, të datës 26.09.2024.

Në njoftim bëhet e ditur se Dardan Krivaçës dhe Arbër Sejdiut në dënim iu është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim.

"Gjykata Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, sipas aktgjykimit me nr.2021:186679, të datës 26.09.2024, të akuzuarin D.K., e ka shpallur fajtor për veprën penale vrasje e rëndë, nga neni 173 paragrafi 1, nënparagrafi 1.4 të KPRK, me dënim me burgim të përjetshëm, në të cilin dënim i është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim, nga data 24.08.2021, e tutje, ndërsa të akuzuarin A.S., për veprën penale ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë, nga neni 173 paragrafi 1, nënparagrafi 1.4 lidhur me nenin 33 të KPRK, duke e gjykuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 15 (pesëmbëdhjetë) vite, në të cilin dënim i është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim, nga data 22.08.2021, e tutje por, jo më gjatë se dënimi i shqiptuar në aktgjykim “, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Gjykatës së Apelit.

Në aktakuzën kundër Krivaqës dhe Sejdiut thuhej se më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij, pa pëlqimin e tani të ndjerës Marigona Osmani, e ka detyruar atë të kryente marrëdhënie seksuale dhe e kishte abuzuar e maltretuar në forma të ndryshme.

Sipas aktakuzës, një ditë më pas, më 22 gusht 2021, Krivaqa dhe Sejdiu e kanë vrarë të ndjerën në përpjekje për të fshehur veprën penale të dhunimit.

Krivaqa e Sejdiu, e kanë dërguar trupin e pajetë të viktimës në spitalin e qytetit, dhe më pas janë larguar në drejtim të panjohur.

Ata po ashtu ishin akuzuar për kryerjen e veprës së dhunimit, por u shpallën të pafajshëm për shkak të mungesës së provave.


MË SHUME NGA Kronika