Sulmohet fizikisht prokurori në Pejë, KPK-ja e dënon fuqishëm aktin
M.P|RTKlive
Prokurori i Departamentit të Përgjithshëm në Prokurorinë Themelore në Pejë, Ramiz Buzhala është sulmuar fizikisht. Ndaj këtij akti ka reaguar Këshilli Prokurorial i Kosovës që thotë se sulmi ndërlidhet me punën e tij zyrtare.
“Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit dënojnë ashpër sulmin e sotëm fizik ndaj prokurorit të Departamentit të Përgjithshëm në Prokurorinë Themelore në Pejë, Ramiz Buzhala, sulm ky, i cili ndërlidhet me punën e tij zyrtare. KPK-ja dhe ZKPSH-ja, theksojnë se aktet e tilla ndaj prokurorëve janë të patolerueshme dhe qëndrojnë fuqishëm pranë prokurorit Buzhala, duke e mbështetur në punën e tij të përditshme dhe duke e inkurajuar për përmbushjen e misionit të tij ligjor”, thuhet ndër të tjera në reagim.
Tutje, KPK-ja e dhe ZKPSH-ja, thonë se aktet e tilla nuk mund të ndikojnë që prokurori Buzhala të zmbrapset nga ndjekja e kryeseve të veprave penale dhe do të vazhdojë punën e tij, për të cilën e obligojnë Kushtetuta dhe ligjet e Republikës.
“Këto dy institucione të sistemit prokurorial, sigurojnë opinionin publik se sulmi ndaj prokurorit Ramiz Buzhala është duke u trajtuar me prioritet nga organet kompetente dhe ndaj sulmuesit është marrë vendim për ndalimin e tij për 48 orë dhe janë duke u ndërmarrë hapat e mëtutjeshëm ligjorë”, përfundon reagimi i KPK-së.























