Tri raste të dhunës në familje gjatë 24 orëve të fundit
E. Hoti / RTKlive
Tri raste të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovës në 24-orët e fundit. Policia ka njoftuar në raportin 24-orësh se rastet kanë ndodhur në Prishtinë dhe Gjakovë.
Në Prishtinë është raportuar se një grua është sulmuar fizikisht dhe është dëbuar nga shtëpia nga bashkëshorti i saj.
Sipas Policisë, viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa lidhur me rastin është njoftuar prokurori.
Nuk është raportuar për të arrestuar.
Edhe një rast tjetër i dhunës në familje është raportuar në Prishtinë.
Policia ka njoftuar se një grua është kanosur nga një person me të cilin ka bashkëjetuar. Nuk raportohet për të arrestuar, ndërsa lidhur me rastin është njoftuar prokurori.
Në Gjakovë gjithashtu është raportuar se një grua, është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj. Lidhur me rastin, i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.
Ndërsa, në Prishtinë, sipas raportit të Policisë së Kosovës lidhur me rastin e ndodhur më 20.02.2025, është arrestuar një burrë.
“Lidhur me rastin, më 20.02.2025, është arrestuar i dyshuari burrë kosovar. I njëjti pas intervistimit me vendim të Prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24-orësh.























