Murseli: Nëse vërtetohet aktakuza, kërkoj dënim me burgim të përjetshëm
BKT
Kronika

Murseli: Nëse vërtetohet aktakuza, kërkoj dënim me burgim të përjetshëm

Qendersa Duraku/RTK

Naim Murseli, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes, Liridona Ademaj, është deklaruar i pafajshëm për akuzat.

Murseli ka thënë se po që se vërtetohet aktakuza ndaj tij, “atëherë ai vetë do të kërkojë dënim me burgim të përjetshëm”. Të akuzuarit tjerë, Granit Plava u mbrojt në heshtje, ndërsa Kushtrim Kokalla u deklarua i pafajshëm.

Prokurorja e rastit të vrasjes së Liridona Ademajt, Javorka Perlinçeviq, ka deklaruar se Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, pas zhvillimit të hetimeve, ka ngritur aktakuzë ndaj të dyshuarve Museli, Plava dhe Kokalla, për kryerjen e veprave penale.

Sipas prokurores, pas mbledhjes së provave të mjaftueshme, Prokuroria ka arritur në përfundimin se ekziston dyshim i bazuar se të pandehurit kanë qenë të përfshirë në këtë vepër penale.

Sipas saj, ky dyshim është mbështetur në një numër të madh të deklaratave që janë dhënë në polici nga persona të ndryshëm. Nëpërmjet krahasimit të këtyre deklaratave me provat materiale, Prokuroria është e bindur se të pandehurit e përmendur kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen.

Avokat i familjes Ademaj, Leutrim Syla, ka thënë se gjyqi do t’u japë përgjigje të gjitha dilemave të ngritura teksa ka falënderuar Tom Dodajn që ka pranuar fajësinë.

Ndërkaq Leonard Ademaj, përfaqësues i familjes, ka thënë se qëndron në tërësi me fjalën hyrëse të prokurorisë dhe avokatit Syla.

Teuta Zhinipotoku, avokatja e Naim Murselit, ka thënë se kërkesë e mbrojtjes ka qenë që Murselit t’i bëhet ekzaminim i statusit mendor, por se sipas saj s’ka pasur përgjigje nga Prokuroria a Gjykata.

Kryetarja e trupit gjykues ka thënë se nuk ka pranuar kërkesë të tillë nga avokatja Zhinipotoku.

Prokurorja ka bërë të ditur se kjo kërkesë i ishte bërë dhe se këtë e ka kërkuar nga gjykatësja, por se më 18 nëntor 2024 ajo ka refuzuar për shkak të mungesës së provave mjekësore që mbështesin kërkesën.

Pas kësaj, u mbajt një konsultë dhe u pranua që Murselit t’i bëhet ekzaminimi psikiatrik.

Kurse, Ndrecë Dodaj, avokat i Kushtrim Kokallës, ka thënë se nuk ka asnjë provë që vërteton praninë e të pandehurit që ai mbron.

“Prokuroria i është referuar disa provave. Këto prova nuk vërtetojnë fajësinë e të pandehurit Kushtrim e këto prova do ta vërtetojnë ndodhinë e një incidenti. Do të vërtetojnë mënyrën e vdekjes, cila plagë ka qenë vdekjeprurëse, por jo cili ka qenë kryerësi”, ka thënë ai.

E Skënder Gojani, avokat i Granit Plavës, ka thënë se nuk i është lejuar kontakti me të pandehurin, edhe pas pranimit të ekspertizës së psikiatrisë forenzike për gjendjen mendore të të pandehurit.

Ai ka thënë se për shkak të gjendjes së rënduar psikike dhe emocionale “i pandehuri nuk do të deklarohet lidhur me fajësinë apo pafajësinë e tij, ndërkohë që mbrojtja do t’i ndjekë me kujdes të gjitha zhvillimet e shqyrtimit gjyqësor”.

Seanca e ardhshme do të mbahet më 2 korrik nga ora 13:10.

Vrasja e Liridona Ademajt, Naim Murseli dhe të tjerët paraqiten në gjykatë

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë po mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor për të akuzuarit për vrajsen e Liridona Ademajt: Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla.

Me duar të lidhura janë sjellë në Gjykaten Themelore të akuzuarit për vrajsen e Liridona Ademajt, Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla. Kurse, nga pala e dëmtuar- Leonard Ademaj me avokatin Leotrim Sylaj.

Avokati Sylaj kërkoi që në seancë të jetë i pranishëm edhe dëshmitari Hajdar Ademaj derisa të jepet fjala hyrëse, por kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Fatime Dermaku nuk lejoi.

Kryetarja e trupit gjykues kërkoi që babai i Ademajt të lirojë sallën, meqë do të jetë edhe dëshmitar në rast.

Në seancën fillestare të mbajtur më 31 janar 2025, Naim Murseli u deklarua i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij Liridona Ademajt, Granit Plava nuk u deklarua rreth fajësisë, kurse Kushtrim Kokalla tha se nuk deklarohet pa u konsultuar me mbrojtjen. Ndërsa, fajtor u deklarua i akuzuari Tom Dodaj.

Ky i fundit, pasi pranoi fajësinë u dënua me 5 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.


MË SHUME NGA Kronika