Arrestohen pesë zyrtarët policorë të përfshirë në rastin e Agon Zejnullahut
BKT
Kronika

Arrestohen pesë zyrtarët policorë të përfshirë në rastin e Agon Zejnullahut

M.P. / RTKlive

(E plotësuar, 22:20) Pesë zyrtarëve policorë u është caktuar masa e ndalimit 48 orësh në lidhje me rastin e vdekjes së 27-vjeçarit, Agon Zejnullahu në Lipjan.

Lajmin e ka bërë të ditur Inspektorati Policor i Kosovës përmes një komunikate. IPK-ja ka thënë se hetuesit e saj në koordinim të vazhdueshëm me Prokurorinë e Shtetit janë duke vazhduar të ndërmarrin veprime hetimore lidhur me vdekjen e qytetarit në Lipjan.

“Sot në orët e mbrëmjes, me autorizim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë  janë ftuar për intervistim në IPK në cilësinë e të dyshuarve pesë zyrtarët policorë të përfshirë në këtë ndërhyrje/reagim policor (një rreshter dhe katër zyrtarë policorë). Pas intervistimit të tyre dhe pas administrimit edhe me dëshmitë e tjera që janë siguruar sot pas veprimeve hetimore, që të pesë zyrtarët policorë janë arrestuar si të dyshuar kurse me vendim të prokurorit të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Tutje ky institucion ka bërë të ditur se në kuadër të hetimit, pritet të ndërmerren edhe shumë veprime tjera hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave lidhur me këtë incident si dhe priten edhe rezultatet e ekzaminimeve përfshirë ato mjeko-ligjore.


MË SHUME NGA Kronika