Mbyllen 30 qendra masazhi dhe lokale me muzikë nate
BKT
Kronika

Mbyllen 30 qendra masazhi dhe lokale me muzikë nate

V.S|RTKlive

Pas një aksioni të gjerë janë mbyllur 30 qendra masazhi e lokale me muzikë nate në tërë territorin e Kosovës. Kjo mbyllje, sipas Ministrisë së Industrisë, Tregtisë e Ndërmarrësisë është për shkak të mos regjistrimit të bizneseve, si dhe mungesës së pëlqimit apo aktvendimit për plotësimin e kushteve minimale teknike. Ndaj tyre që ushtronin veprimtari në kundërshtim me ligjin, janë shqiptuar 33 masa ndëshkuese.

Në një aksion të gjerë janë bërë bashkë Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Policia e Kosovës, inspektorët nga Administrata Tatimore e Kosovës e inspektorët nga Inspektorati Qendror i Punës, të cilët inspektuan qendra masazhi e lokale me muzikë nate.

“Aksioni i përbashkët ka rezultuar me inspektimin e 114 subjekteve ekonomike, përkatësisht 67 operatorëve ekonomikë që ushtrojnë veprimtari tregtare - aktivitete të mirëmbajtjes trupore (qendra masazhi), 47 operatorë ekonomik që ushtrojnë veprimtari tregtare dhe aktivitete tjera të argëtimit e rekreacionit (muzikë nate)”, thotë MINT-i në njoftim.

Kanë treguar se Inspektorët e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut konform kompetencave të tyre ligjore, kanë bërë mbyllje të përkohshme të 30 operatorëve ekonomikë në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

“Kjo mbyllje është për shkak të mos regjistrimit të bizneseve, si dhe mungesës së pëlqimit/aktvendimit për plotësimin e kushteve minimale teknike. Ndaj operatorëve ekonomikë që ushtronin veprimtarinë e tyre në kundërshtim me ligjin, janë shqiptuar 33 masa ndëshkuese sipas legjislacionit në fuqi”, bëhet e ditur në njoftim.

MINT-i thotë se Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut konform kompetencave ligjore që ka, do t’i vazhdojë inspektimet edhe ditëve në vijim dhe nëse konstatohen shkelje do të ndërmerren masa për ndalim të ushtrimit të veprimtarisë.


MË SHUME NGA Kronika