Dy shoferë ndëshkohen për shpejtësi, u shqiptohen 1000 euro gjobë
M.Sh/RTKlive
Njësia e Komunikacionit Rrugor e Policisë së Kosovës ndaloi dy shoferë për kundërvajtje trafiku në rrugën “Brahim Ademi” në Ferizaj, të cilët po ngisnin veturat m shpejtësi të madhe në një zonë me shpejtësi të kufizuar.
“Shoferi A.H. (45 vjeç) u kap duke drejtuar veturën Golf me shpejtësi me 104 km/h në zonë me kufizim 50 km/h. Ai u gjobit me 300 €, 3 pikë negative dhe iu shqiptua masa mbrojtëse – ndalim i drejtimit për 6 muaj”, thotë policia.
Ndërsa shoferi L.M. (20 vjeç) po drejtonte veturën Audi me shpejtësi 89 km/h në të njëjtën zonë. Sipas policisë, ai u gjobit me 200 €, 2 pikë negative dhe ndalim i drejtimit për 3 muaj.
“Por gjatë verifikimit u konstatua se ai kishte masë aktive ndalimi nga 12.06.2025 deri më 11.09.2025. Për këtë shkelje të dytë, iu shqiptua edhe një gjobë prej 500 €, 5 pikë negative, ndalim shtesë i drejtimit për 6 muaj dhe iu konfiskua vetura”, thuhet në njoftimin e policisë.
Kjo e fundit thuhet se do të vazhdojë kontrollet për rritjen e sigurisë në trafik dhe fton qytetarët të bashkëpunojnë me uniformat blu.























