Një muaj paraburgim për Jevtiqin, dyshohet për spiunazh
BKT
Kronika

Një muaj paraburgim për Jevtiqin, dyshohet për spiunazh

Sh.Ç|RTKlive

(E plotësuar) Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar një muaj paraburgim togerit të Policisë, Bojan Jevtiq, nën dyshimin se ka kryer veprën penale të spiunazhit dhe armëmbajtje pa leje.

Prokuroria Speciale paraqit sot kërkesën për paraburgim, duke përmendur se Jevtiq ishte i rekrutuar nga BIA serbe dhe se i njëjti dërgonte informacione konfidenciale te shërbimi sekret serb.

“Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurit B.J., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale Spiunazhi dhe Armëmbajtje pa leje”, thuhet në njoftim.

Gjykata po ashtu ka vlerësuar se nëse i pandehuri lihet në liri, i njëjti mund të ndikojë në prova dhe në dëshmitarë si dhe mund të përsëris veprën e njëjtë penale ose mund të kryejë sërish vepra tjera penale në rrethana të njëjta ose më të rënda.

"Gjykata konsideron se pesha e veprës penale është e natyrës së rëndë, andaj caktimi i masës së paraburgimit është masë e domosdoshme në këtë rast penal dhe se cdo masë tjetër do të ishte e pamajftueshme për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale, pengimin e rrjedhës normale të kësaj procedure penale si dhe pengimin e përsëritjes së veprave penale”, thuhet në njoftim.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Prokuroria kërkon paraburgim, mbrojtja e Jevtiqit ofron dorëzani

Ka përfunduar seanca dëgjimore ndaj Bojan Jevtiqit, i arrestuar nën dyshimet për spiunazh. Jevtiqit pritet t'i cakohet masa e paraburgimit të premten. Ai u dërgua në Gjykatën Themelore në Prishtinë ku mbahet seanca dëgjimore ndaj tij.

Prokurori Bekim Kodraliu ka deklaruar se janë siguruar prova të mjaftueshme për të vërtetuar dyshimin se Jevtiq ka kryer veprën me të cilën ngarkohet.

“Janë sekuestruar dokumente konfidenciale të lëshuara nga Policia e Kosovës që kanë të bëjnë me sigurinë dhe rendin juridik të qytetarëve. Kemi gjetur edhe një armë të shkurt pa autorizim, sasi të municionit, monedha që dyshojmë se ai i ka përfituar duke kryer veprat për të cilat dyshohet. Janë 2 milionë dinarë serbë, 10 mijë euro, 600 franga që i pandehuri nuk ka mundur t’i justifikojë”, ka thënë ai.

Kurse, avokati Milosh Nikolliq, mbrojtës i Jevtiqit ka theksuar se është kërkuar që klienti i tij të mbrohet në liri dhe se është ofruar një dorëzani në shumë prej 15 mijë eurosh për t’iu shmangur paraburgimit. Ai ka thënë se konsideron më të përshtatshme një masë më të lehtë sigurie.

“Masa e arrestit shtëpiak me mbikëqyrje nga policia. Mendojmë se është e përshtatshme, sepse është fillimi i procedurës, mund të zgjasë gjatë, nuk ka nevojë për caktim paraburgimi”, ka deklaruar ai.

Sa i përket provave të sekuestruara, ai ka deklaruar se mbrojtja ende nuk ka qasje në to.

“Meqenëse është në fazën e hetimit, nuk kemi qasje në prova, nuk na janë dorëzuar shkresat. Kur të na dorëzohen nga ana e prokurorisë shkresat, atëherë do të mund t’i komentojmë”, ka thënë ai.

Del para Gjykatës togeri Jevtiq, i dyshuar për spiunazh

I dyshuari për spiunazh, Bojan Jevtiq, është sjellë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku do të mbahet seancë dëgjimore për t’ia caktuar masën e paraburgimit. Jevtiq është arrestuar dje dhe është ndaluar për 48 orë.

Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se pas aksionit të bastisjes nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë dhe Inspektorati Policor në shtëpinë e policit që ka punuar në pikën kufitare Dheu i Bardhë janë gjetur dokumente të klasifikuara.

“Gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit në një fshat të Kamenicës, janë sekuestruar prova materiale si: dokumente konfidenciale të Policisë së Kosovës, disa telefona të mençur, USB, një armë e shkurtër, municion, para të gatshme në vlerë prej 10.000 eurosh, 2 milionë dinarë serbë (rreth 17.072 euro), 600 franga zvicerane dhe prova të tjera të cilat do të ekzaminohen gjatë procedurës hetimore”, thuhet në komunikatën e përbashkët të Prokurorisë dhe IPK-së.


MË SHUME NGA Kronika