Arrestohet zyrtari policor dhe tre qytetarë në Ferizaj për incident me armë
BKT
Kronika

Arrestohet zyrtari policor dhe tre qytetarë në Ferizaj për incident me armë

E.Hoti/RTKlive

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), përmes Departamentit të Hetimeve, njofton se pas një incidenti me armë zjarri në fshatin Doganaj të Ferizajt, janë arrestuar një zyrtar policor jashtë detyrës dhe tre qytetarë të tjerë.

Policia ka bërë të ditur se incidenti ka ndodhur pas një mosmarrëveshjeje në trafik dhe ka përfunduar me gjuajtje me armë zjarri, ku janë plagosur dy persona, një qytetar dhe vetë zyrtari policor. Të lënduarit janë dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe sipas mjekëve, ndodhen jashtë rrezikut për jetë.

“Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar dy vetura, dy armë zjarri (një Glock 19 zyrtare dhe një revole Zastava), si dhe 16 gëzhoja dhe një predhë. Pas koordinimit me Prokurorinë Themelore në Ferizaj, të katër të dyshuarit janë arrestuar dhe ndaj tyre është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh”, thuhet në njoftim.

Hetimet vazhdojnë për veprat penale “Vrasje në tentativë”, “Mbajtje të paautorizuar të armëve” dhe “Dhënie ndihmë gjatë kryerjes së veprës penale”, ndërsa IPK ka rekomanduar suspendimin e zyrtarit policor të përfshirë në këtë rast.

Tutje theksohet se hetuesit po punojnë në bashkëpunim me prokurorinë dhe njësitë policore për zbardhjen e plotë të rrethanave të incidentit.


MË SHUME NGA Kronika