Kërkohet paraburgim ndaj zyrtarit në Gjakovë që dyshohet për ryshfet
V.S|RTKlive
Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka kërkuar nga Gjykata Themelore caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj zyrtarit në Gjakovë për të cilin thonë se ekziston dyshimi i bazuar për marrje ryshfeti, ndërsa me aktvendim të prokurorisë kanë nisur edhe hetimet ndaj tij.
“Sipas kërkesës së Prokurorisë, ndër të tjera ceket se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri me inicialet K.V., më datë 25.08.2025 në Gjakovë, në cilësi të personit zyrtar - zyrtar për regjistrim të bizneseve në Komunën e Gjakovës, me qëllim të përfitimit për vete në mënyrë të drejtpërdrejt i kërkon të holla të dëmtuarit E.C., për rregullimin e dokumenteve të regjistrimit të biznesit, pasi i dëmtuari kishte aplikuar për hapjen e biznesit të tij, ashtu që më datë 01.09.2025, gjatë zbatimit të urdhëresës së gjykatës për masat e veçanta hetimore është arrestuar në flagrancë i pandehuri pasi ka pranuar shumën e të hollave prej 30 euro”, thuhet në njoftim.
Me këto veprime, sipas prokurorisë formohet dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 421, paragrafi 1 të Kodit Penal.
Kanë bërë të ditur se i pandehuri që nga data 1 shtator 2025, me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh për këtë vepër penale.























