Policia sekuestron në veri aparate që shërbenin për pagesa me dinarë
V.S|RTKlive
Polica e Kosovës ka njoftuar se ka sekuestruar në Mitrovicë të veriut aparate-POS të cilat kanë shërbyer për kryerjen e pagesave në valutën dinar.
Policia thotë se gjatë asistimit për kontrolle që i bënë inspektorëve të tregut nga Drejtoria e Inspeksionit e Komunës së Mitrovicës Veri, si dhe inspektorëve të Administratës Tatimore të Kosovës hasën në shtatë aparate të tilla.
“Me datë 09.09.2025, Sektori Rajonal i Hetimeve Mitrovicë Veri, gjatë asistimit të inspektorëve të tregut nga Drejtoria e Inspeksionit e Komunës së Mitrovicës Veri, si dhe inspektorëve të Administratës Tatimore të Kosovës, në kuadër të një kontrolli në disa biznese/lokale në komunën e Mitrovicës Veri në shtatë biznese të ndryshme ka hasur në shtatë aparate-POS të cilat kanë shërbyer për kryerjen e pagesave në valutën dinar”.
Kanë treguar se për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit i cili, sipas policisë ka udhëzuar që këto aparate të sekuestrohen përkohësisht dhe të iniciohet rast për veprën penale “Keqpërdorim i autorizimeve ekonomike”.
“Ne lidhje me rastin nuk ka persona të arrestuar, ndërsa sipas kompetencave rasti ka kaluar për trajtim nga Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike – Rajoni Mitrovicë Veri”, ka bërë të ditur policia në njoftim.























