Plagoset një person në Pejë, i dyshuari në arrati
RTKlive
Një person ka mbetur i plagosur pasditen e sotme në rrugën “Papa Klementi” në Pejë, pas të shtënave me armë zjarri.
Lajmin e ka konfirmuar për RTKlive zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Driton Rugova. Ai ka theksuar se i dyshuari është larguar në drejtim të panjohur dhe është në kërkim nga Policia.
“Sot, rreth orës 15:50, Policia është njoftuar se në rrugën ‘Papa Klementi’ në Pejë janë dëgjuar të shtëna me armë. Njësitet relevante kanë dalë në vendngjarje dhe aty është konstatuar se si pasojë e të shtënave një person është plagosur nga arma e zjarrit. I njëjti është dërguar në Spitalin Rajonal në Pejë, ku po trajtohet nga ekipi mjekësor, ndërsa i dyshuari i këtij rasti është larguar në drejtim të panjohur dhe është në kërkim nga Policia”, ka deklaruar Rugova.























