Katër raste të vjedhjeve raportohen në Mitrovicë, Gjakovë dhe Prizren
BKT
Kronika

Katër raste të vjedhjeve raportohen në Mitrovicë, Gjakovë dhe Prizren

Sh.Ç|RTKlive

Policia e Kosovës ka njoftuar për katër raste të vjedhjeve të ndodhura të marten në komuna të ndryshme të vendit, përfshirë Mitrovicën e Veriut, Gjakovën dhe Prizrenin. Dy nga rastet janë cilësuar si vjedhje të rënda, për shkak të mënyrës së kryerjes dhe vlerës së dëmit të shkaktuar.

Në Mitrovicë të Veriut, në rrugën "Serdar Janka Vukotiq", një qytetar ka raportuar në polici se nga shtëpia e tij i janë vjedhur para të gatshme. Po ashtu, në të njëjtën komunë, në rrugën "Xhon Kenedi", një tjetër qytetar ka raportuar se para ndërtesës së tij, persona të panjohur i kanë vjedhur biçikletën.

Një tjetër rast i vjedhjes së rëndë është raportuar në fshatin Novosellë të Gjakovës, ku një qytetar ka njoftuar se nga shtëpia e tij i janë vjedhur para dhe një armë zjarri pistoletë me 9 fishekë.

Ndërkohë, në fshatin Caparc të Prizrenit, një qytetar ka raportuar se persona të panjohur kanë depërtuar në shtëpinë e tij në kohën kur ai nuk ndodhej aty, duke i vjedhur stoli ari dhe më pas janë larguar në drejtim të panjohur.

Lidhur me këtë rast është informuar prokurori i shtetit, ndërsa njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet.

 


MË SHUME NGA Kronika