Policia e Mitrovicës konfiskon tri armë zjarri në dy ditët e fundit
Sh.Ç|RTKlive
Në dy ditët e fundit, policia në Rajonin e Mitrovicës ka konfiskuar tri armë zjarri në dy raste të ndara.
Në rastin e parë, në Mitrovicë, janë arrestuar dy persona meshkuj, pas një mosmarrëveshjeje për një parking, ku njëri prej tyre e ka kanosur tjetrin. Gjatë kontrollit, te i dyshuari është sekuestruar një pistoletë me 21 fishekë.
Pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit, u caktua masa e ndalimit policor për të dyshuarit. Kundër tyre janë iniciuar raste për veprat penale: “Mbajtje, posedim dhe kontroll i paautorizuar i armës” dhe “Sulm”.
Në rastin e dytë, në Vushtrri, është arrestuar një person mashkull, te i cili gjatë kontrollit në automjet janë gjetur dhe sekuestruar një pushkë automatike me 30 fishekë, një pistoletë dhe një thikë.
Pas intervistimit, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti për veprën penale “Mbajtje, posedim dhe kontroll i paautorizuar i armës”. I dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.























