Aktakuzë për shitblerje të narkotikëve dhe armëmbajtje pa leje në Gjakovë
BKT
Kronika

Aktakuzë për shitblerje të narkotikëve dhe armëmbajtje pa leje në Gjakovë

E.H|RTKlive

Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit E.M., për veprat penale që lidhen me shitblerjen e paautorizuar të narkotikëve dhe armëmbajtje pa leje.

Sipas aktakuzës, më 11 gusht 2025, rreth orës 21:25, në rrugën “Gasper Karaqi” në Gjakovë, i pandehuri është ndaluar nga Njësia për Reagim të Shpejtë e Policisë derisa po lëvizte me automjetin e tij tip Audi A6. Gjatë kontrollit, në çantën e tij janë gjetur dhe sekuestruar gjashtë qese me substancë narkotike.

Pas ndalimit, hetuesit kanë kryer bastisje në banesën e të pandehurit, ku janë gjetur dhe sekuestruar substanca narkotike, një peshore digjitale, dy palë gërshërë, një lugë metalike, qese të zbrazëta, shirit ngjitës dhe shkrepëse, mjete që shërbenin për ndarjen dhe paketimin e narkotikëve për shitje. Sipas raportit të Agjencisë së Forenzikës, substanca e sekuestruar është konfirmuar si kokainë me peshë 342.06 gramë.

Po ashtu, gjatë kontrollit, është sekuestruar një pistoletë me gaz e llojit Zoraki me një karikator, të cilën i pandehuri e mbante në pronësi në kundërshtim me ligjin.

“Për këto veprime, E.M. ngarkohet me dy vepra penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe  “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve””,  thuhet në njoftim.

Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet konform dispozitave ligjore për veprat që i vihen në barrë.


MË SHUME NGA Kronika