Ndalohen pajisje për transplant të flokëve në Aeroportin `Adem Jashari`
Gjatë kontrolleve të rregullta në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, doganierët kanë ndaluar një sasi të konsiderueshme pajisjesh profesionale për transplant të flokëve.
Sipas njoftimit nga Dogana, këto pajisje u zbuluan gjatë skanimit të bagazheve të një udhëtari që po hynte në Kosovë.
“Në mesin e mallrave të ndaluara ishin instrumente mjekësore, pajisje ndihmëse, materiale sterile dhe preparate për trajtim pas ndërhyrjeve estetike në fushën e transplantit të flokëve”, thuhet në njoftim.
Pajisjet janë ndaluar përkohësisht deri në përfundimin e procedurave ligjore përkatëse.
Dogana e Kosovës kujton se çdo udhëtar ka detyrimin ligjor të deklarojë mallrat që bart me vete, ndërsa mosdeklarimi i tyre përbën shkelje të ligjit dhe mund të sjellë pasoja ligjore.























