IPK rekomandon suspendimin e tre zyrtarëve policorë në Klinë
E.Hoti/RTKlive
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka nisur hetime lidhur me një incident në Klinë, ku dyshohet për përfshirjen e tre zyrtarëve policorë të Stacionit Policor në këtë qytet.
Pas veprimeve fillestare hetimore, IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës që të suspendojë këta zyrtarë për shkak të dyshimit se ata nuk kanë raportuar rrethanat dhe veprimet që mund të përbëjnë vepër penale.
Sipas IPK-së, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur më 19 shtator 2025, kur këta zyrtarë policorë nuk kanë raportuar veprimet e dyshuara, duke shkelur nenin 386 të Kodit Penal të Kosovës, që ndëshkon “moslajmërimin e veprave penale apo kryerësve të tyre”.
“Hetimet lidhur me këtë rast janë duke u zhvilluar nga Departamenti i Hetimeve në IPK, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Pejë me qëllim të sqarimit të plotë të të gjitha rrethanave dhe veprimeve eventualisht të kundërligjshme të zyrtarëve policorë të përfshirë”, thuhet në njoftim .
Tutje theksohet se rekomandimi për suspendim të përkohshëm të zyrtarëve policorë është ndërmarrë me qëllim të mos-ndikimit në procesin hetimor dhe garantimit të pavarësisë dhe paanshmërisë së hetimeve.























