Dogana ndalon 360 kilogramë mish dhe 96 bombola gazi të padeklaruara
E.Hoti/RTKlive
Gjatë kontrolleve rutinore nga zyrtarët doganorë në pikëkalimin kufitar në Vërmicë, është ndaluar për kontroll të detajuar një automjet, në të cilin është hasur mall i padeklaruar.
Dogana e Kosovës përmes një njoftimi ka bërë të ditur se pavarësisht deklarimit negativ nga personi përgjegjës lidhur me posedimin e mallrave, gjatë kontrollit janë zbuluar mallra të fshehura në automjet.
“Mallrat e padeklaruara përfshijnë: 360 kg mish qafe derri (pa kocka) dhe 96 bombola gazi për përdorim shtëpiak (me përmbajtje 190 gram secila)”, thuhet në njoftim.
Sipas Doganës për mallrat në fjalë, pala nuk ka paraqitur faturë apo dokumentacion përcjellës, dhe si pasojë, ato janë ndaluar deri në përfundimin e procedurave përkatëse. Ndaj personit përgjegjës është iniciuar procedurë për kundërvajtje doganore, në përputhje me nenin 244 të Kodit Doganor dhe të Akcizës së Kosovës (KDAK).
Dogana e Kosovës ka ritheksuar se mbetet e përkushtuar në forcimin e kontrollit kufitar, parandalimin e kontrabandës dhe mbrojtjen e interesave ekonomike dhe shëndetësore të vendit.























