Dogana njofton për ndalimin e mallrave dhe kundërvajtjet gjatë tetorit
BKT
Kronika

Dogana njofton për ndalimin e mallrave dhe kundërvajtjet gjatë tetorit

G.K/ RTKlive

Dogana e Kosovës njofton se ka identifikuar dhe ndaluar një numër të konsiderueshëm të rasteve të kundërvajtjeve doganore gjatë muajit tetor, si rezultat i kontrolleve në pikat kufitare dhe në territorin e brendshëm.

Në këto operacione sipas Doganës janë zbuluar mallra të padeklaruara, të fshehura apo të shoqëruara me dokumentacion të pasaktë, me qëllim shmangien e detyrimeve ligjore.

Sipas njoftimit të doganës, rastet përfshijnë mallra nga kategori të ndryshme si:

- Produkte tekstili, veshje dhe aksesorë mode, përfshirë produkte të dyshuara si të falsifikuara

- Produkte farmaceutike, kozmetike dhe mjete për ndërhyrje estetike, pa certifikim dhe dokumentacion të përshtatshëm për import

- Pajisje elektronike dhe mjete pune, si dhe pajisje teknologjike të ndryshme, të cilat nuk ishin të deklaruara në mënyrë të rregullt gjatë hyrjes në territorin e Kosovës

- Produkte ushqimore dhe të konsumit të përditshëm, si mish i përpunuar, vaj, bombola gazi dhe suplemente ushqimore në sasi të konsiderueshme

- Mjete monetare në sasi mbi kufirin e lejuar ligjërisht

- Lëndë narkotike, duhan dhe municion për armë të ndryshme, të gjetura në rrethana të dyshimta gjatë kontrolleve të thelluara

Sipas Doganës vlera e përgjithshme e mallrave të ndaluara arrin shuma të larta, ndërsa ndaj personave të përfshirë janë iniciuar procedurat përkatëse administrative.

"Dogana e Kosovës riafirmon përkushtimin për mbrojtjen e tregut dhe shëndetit të qytetarëve, si dhe për luftimin e kontrabandës dhe tregtisë së paligjshme", theksohet në njoftim. 


MË SHUME NGA Kronika