Ndëshkohen dy shoferë, zhvillonin gara shpejtësie
RTKlive
Policia e Kosovës ka ndëshkuar dy shoferë që po zhvillonin gara shpejtësie në rrugën Gërlicë–Varosh në Ferizaj, gjatë natës së së shtunës.
Sipas njoftimit të Njësisë së Komunikacionit Rrugor në Ferizaj, rreth orës 23:50 të datës 8 nëntor 2025, janë ndaluar dy persona me inicialet Sh.L. (25 vjeç), që drejtonte një BMW 318, dhe N.H. (64 vjeç), që ngiste një VW Golf me targa vendore.
Të dy shoferët janë kapur në flagrancë duke zhvilluar gara shpejtësie në një zonë me kufizim prej 60 km/h, ndërsa vozitonin me 136 km/h.
Për këtë kundërvajtje të rëndë në trafik, ndaj të dyve janë shqiptuar gjobë prej 500 euro, 5 pikë negative dhe masa mbrojtëse – ndalim i të drejtës për të drejtuar automjetin për 12 muaj.
Policia Rajonale e Ferizajt u ka bërë thirrje të gjithë shoferëve që të shmangin garat e shpejtësisë, duke theksuar se ato përbëjnë rrezik serioz për jetën e tyre dhe për pjesëmarrësit e tjerë në trafik.
“Policia do të intensifikojë masat dhe kontrollet me radarë në të gjitha rrugët e rajonit të Ferizajt, me qëllim të rritjes së sigurisë në komunikacion,” thuhet në njoftim.























