Ndalohet një person në Gjilan për posedim dhe kultivim të drogës
RTKlive
Një person është ndaluar nga Policia e Kosovës në Gjilan, pas një aksioni të përbashkët të Prokurorisë Themelore në Gjilan, Departamentit për Krime të Rënda dhe Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN).
Sipas njoftimit zyrtar, me urdhër verbal për kontroll të lëshuar nga Prokurori i Shtetit, policia ka kryer një bastisje në pronën e të dyshuarit me inicialet E.R., ku janë gjetur dhe sekuestruar dëshmi të ndryshme që lidhen me veprimtari të paligjshme narkotike.
Gjatë kontrollit, policia ka sekuestruar: Një çantë të kaltër me tre kavanoza dhe një qese me marihuanë, me peshë totale 220.87 gramë; Dy drita LED për kultivim të bimëve narkotike Cannabis sativa; Një bimë Cannabis sativa e mbjell në një gotë plastike; Një qese me 190 fara të bimës narkotike, me peshë 3.70 gramë; Dy qese me marihuanë, me peshë 3.88 gramë...
“Pas bastisjes, i dyshuari është ndaluar për 48 orë me urdhër të Prokurorit të Shtetit. Ai po hetohet për dy vepra penale: Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge, sipas nenit 267 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës; dhe Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit, sipas nenit 272 të po të njëjtit Kod”.
Prokuroria ka njoftuar se brenda afatit ligjor do të paraqitet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.























