Arrestohen dy persona për deklarim të rremë në Pejë
Gentiana Kelmendi/RTKlive
Policia e Kosovës ka njoftuar se dy persona janë arrestuar për deklarim të rremë pranë Qendrës për Pajisje me Dokumente të Identifikimit (QPD) në Pejë.
Sipas komunikates për media nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit Pejë, në vazhdën e hetimeve janë siguruar dëshmi të mjaftueshme se personat e dyshuar F.SH., (2000) dhe A.K., (2005) më datën 13 janar 2026 kanë deklaruar rrejshëm, duke garantuar për identitetin e saktë të personit tjetër të dyshuar A.R., (2003).
"Të dyshuarit janë intervistuar në prezencën e avokatëve, dhe pas intervistimit, prokurori kompetent ka lëshuar vendim për ndalim policor të dy personave të dyshuar,” thuhet në komunikatë.
Policia e Kosovës thekson se në bashkëpunim me organet e drejtësisë mbetet e përkushtuar në luftimin e krimeve ekonomike, korrupsionit dhe çdo vepre tjetër penale, duke garantuar ligjshmëri, transparencë dhe llogaridhënie ndaj qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.























