Dy të arrestuar në Fushë Kosovë për keqpërdorim të kartelave bankare
M.Shefkiu/RTKLive
Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona nën dyshimin se kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të kartelave bankare apo të kreditit.
Sipas hetimeve fillestare, të arrestuarit dyshohet se në mënyrë të vazhdueshme kanë keqpërdorur të dhënat e kartelave bankare të personave të huaj, me qëllim përfitimi të kundërligjshëm material.
Me autorizim dhe në konsultim me prokurorin kompetent, është realizuar kontrolli i pronës së të dyshuarve, me ç’rast është sekuestruar një telefon celular, i cili dyshohet se është përdorur në kryerjen e veprës penale.
Pas intervistimit nga ana e hetuesve policorë, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa rasti po vazhdon të trajtohet nga organet kompetente në procedurë të rregullt ligjore, thuhet në njoftimin e policisë.























