Policia e Prishtinës sekuestron 17 armë dhe municione të ndryshme
BKT
Kronika

Policia e Prishtinës sekuestron 17 armë dhe municione të ndryshme

Emine Hoti/RTKlive

Zyrtarët policorë të rajonit të Prishtinës kanë vazhduar aktivitetet e tyre intensive gjatë javës së kaluar, duke realizuar një numër të madh veprimesh policore në lokacione të ndryshme dhe përmes aksioneve të ndara.

Sipas njoftimit nga policia, gjatë kësaj periudhe janë realizuar gjithsej 238 urdhëresa të gjykatës, nga të cilat 52 kanë qenë për vepra penale, ndërsa urdhëresat e tjera kanë pasur të bëjnë me kundërvajtje, seanca gjyqësore, verifikime dhe procedura të tjera ligjore.

“Në përputhje me urdhëresat, pas përfundimit të procedurave policore, personat e dënuar me burgim janë dërguar për vuajtje të dënimit, ndërsa personat e dënuar me gjobë, janë liruar, pasi të njëjtit kanë kryer obligimet e caktuara në urdhëresa”, thuhet në njoftim.

Aktivitetet policore janë shtrirë edhe në segmente të tjera të sigurisë publike. “Gjatë së njëjtës periudhë kohore, policia ka sekuestruar 17 armë zjarri të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, si dhe sasi të municioneve të ndryshme”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, gjatë javës së kaluar janë shqiptuar gjithsej 4,394 masa administrative me gjobë për shkelje të ndryshme të kodit rrugor, nga të cilat 718 janë evidentuar përmes veturave inteligjente dhe veturave me radar mobil.


MË SHUME NGA Kronika