Paraburgim ndaj të dyshuarit për tentim vrasje në Pejë
BKT
Kronika

Paraburgim ndaj të dyshuarit për tentim vrasje në Pejë

Emine Hoti/RTKlive

Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj K.M., i dyshuar për veprën penale “Vrasje e rëndë e mbetur në tentativë”.

K.M. dyshohet se e goditi me sëpatë familjarin e tij në Isniq të Deçanit më 05.02.2026.

Vendimi i gjykatës, i dhënë nga gjyqtari i procedurës paraprake Musë Povataj, erdhi pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda.

“Masa e paraburgimit fillon më 6 shkurt 2026 dhe do të zgjasë deri më 6 mars 2026”, thuhet në njoftim.

Tutje sqarohet se masa e paraburgimit do të mbahet fillimisht në Repartin e Psikiatrisë në Pejë, për aq kohë sa vlerësohet i nevojshëm trajtimi shëndetësor, ndërsa pas përfundimit të tij i pandehuri do të dërgohet në Qendrën e Paraburgimit.

Gjatë ditës, RTKlive raportoi se është arrestuar personi që dyshohet se e goditi me sëpatë babain e tij.

 Zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës,Shkodran Nikçi, kishte thënë se i dyshuari i cili ishte në arrati  është ndaluar për 48 orë.

“Personi i dyshuar për një kohë ka qenë në arrati, mirëpo pas autorizimeve të prokurorit të shtetit e në bashkëpunim me policinë e Kosovës në Pejë, pas hetimeve intensive është lokalizuar personi i dyshuar dhe me ç’rast është arrestuar. Me urdhër të prokurorit, i njëjti është ndaluar për 48 orë. Prokurorja e shtetit është duke e bërë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, ku përveç kësaj kërkese do t'i bashkëngjitet edhe e kaluara kriminale, e cila po ashtu do të shërbejë për caktimin e kësaj mase të paraburgimit”, ka thënë Shkodran Nikçi, zëdhënës i prokurorisë.

 


MË SHUME NGA Kronika