Psikologu: Ngjarja u inskenua, arsimtari u sulmua fillimisht nga 10 nxënës
Qendresa Duraku / RTK
Lidhur me videon e publikuar sot, ku shihet një rast i dhunës fizike ndaj një nxënësi në shkollën “Pavarësia” në Prishtinë, nga shkolla kanë deklaruar se videoja është e inskenuar dhe se rreth 10 nxënës e kanë sulmuar fillimisht mësimdhënësin në sallën e arsimtarëve.
Në një video të publikuar nga KALLXO.com shihet një mësimdhënës i kësaj shkolle teksa godet një nxënës. Rasti është konfirmuar nga Policia e Kosovës, ndërsa Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se është iniciuar procedurë penale dhe mësimdhënësi është ndaluar për 48 orë.
Sipas psikologut të kësaj shkolle, ngjarja ka ndodhur ndryshe nga ajo që është shfaqur në pamjet e publikuara. Ai thotë se videoja është shpërndarë vetëm pjesërisht dhe se incidenti ka përfshirë më shumë nxënës. Sipas tij, incidenti ka filluar pas një fyerjeje verbale nga nxënësi, ndërsa më pas në ngjarje janë përfshirë edhe nxënës të tjerë.
Ai thekson se mësimdhënësi i përfshirë në rast është një nga arsimtarët më të respektuar të shkollës dhe ngjarja ka ndodhur në prag të një aktiviteti të rëndësishëm për institucionin.
"Rasti ka ndodhur këtu pikërisht tek kjo pjesa, do të thotë është inicuar nga kjo pjesë. E gjithë puna që ka bërë profesori ynë Abaz Kadriu, i cili është një nga mësimdhënësit më korrekt dhe më të mirë të shkollës tonë. Ne sot një javë e kemi ditën e shkollës tonë dhe ai është përgatitur që të përfaqësojë para prindërve dhe gjithë komunitetit të shkollës punën e tij”, tha Nazim Mahmuti, psikolog i shkollës “Pavarësia”.
Sipas psikologut, incidenti ka filluar pas një fyerjeje verbale nga nxënësi, ndërsa më pas në ngjarje janë përfshirë edhe nxënës të tjerë.
"Mënyra se si ka ndodhur rasti, nxënësi fillimisht këtu afër duke punuar e ka ofenduar me një mënyrë dhe gjuhë të papranueshme. Arsimtari ndërkohë e ka larguar nxënësin dhe nxënësi ka mbledhur 10 nxënës tjerë dhe është bërë një grup prej 10 nxënësish, të cilët e kanë shfrytëzuar momentin kur arsimtari ishte në pauzë gjatë orës së 5-të, duke pirë kafën e pauzës, dhe 10 nxënës janë futur brenda në sallën e arsimtarëve edhe e kanë sulmuar mësimdhënësin. Pra, jemi duke folur për 10 nxënës që kanë hyrë në sallë, që do të thotë se ata së pari nuk kanë të drejtë as të hyjnë në sallën e arsimtarëve, e lëre të sulmojnë mësimdhënësin me fjalë. Tek në fund, pas gjithë asaj situate, nxënësit e caktuar, të cilët e kanë menduar dhe e kanë inskenuar situatën dhe gjithçka me planifikim, vetëm insertin e fundit kur mësimdhënësi i është kthyer nxënësit e kanë incizuar dhe pikërisht vetëm fundin e videos ata e kanë shpërndarë”, shtoi ai.
Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës. Sipas njoftimit zyrtar, policia ka pranuar informatën rreth orës 12:00 dhe menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, duke shoqëruar në stacion policor palët e përfshira. Policia ka bërë të ditur se në koordinim me prokurorinë kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rastit.
Ndërkohë, edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar inicimin e procedurës penale. Zëdhënësja e Prokurorisë, Kaltrina Shala, tha për RTK-në se rasti është iniciuar për veprën penale
“Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, sipas nenit 195 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Ajo bëri të ditur se me urdhër të prokurorit kujdestar, mësimdhënësi është ndaluar për 48 orë.
Prokuroria ka njoftuar se hetimet janë duke vazhduar dhe se do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.























