Plagoset një person në Mitrovicë, policia fillon hetimet
BKT
Kronika

Plagoset një person në Mitrovicë, policia fillon hetimet

Sh.Çoçaj/RTKlive

Një person është plagosur nga të shtënat me armë zjarri në fshatin Zhabar të Mitrovicës së Jugut.

Rreth orës 22:00, Policia e Kosovës ka pranuar informacionin për incidentin dhe njësitet policore menjëherë janë nisur për në vendin e ngjarjes për të kryer veprimet e nevojshme hetimore.

Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, konfirmoi se një person i moshës madhore mbeti i plagosur dhe u dërgua në spital për tretman mjekësor.

“Nga hetimet fillestare bëhet e ditur se i njëjti ka marrë plagë nga arma e zjarrit” ka theksuar Zahiti, duke shtuar se hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit vazhdojnë.

Kurse zyrtarë në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë,  kanë theksuar se i plagosuri po trajtohet për lëndime në këmbë dhe është jashtë rrezikut për jetë.

Sipas tyre, i plagosuri u paraqit në emergjencë rreth orës 22:25 dhe po merr trajtim të vazhdueshëm.

Policia nuk ka dhënë ende detaje shtesë për motivet ose të dyshuarit e këtij incidenti.


MË SHUME NGA Kronika