23:18 / 18.02.2026
Aksident në Kutllovc të Mitrovicës, një 31-vjeçar humb jetën
Bardh Bekteshi/RTK
Një person ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur mbrëmjen e sotme në fshatin Kutllovc të Mitrovicës.
Zëdhënësi i Policisë në rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, e ka konfirmuar lajmin për RTK-në, duke bërë të ditur se rreth orës 21:37 Policia ka pranuar informacion për aksidentin.
"Rreth orës 21:37, Policia në Mitrovicë ka pranuar informacion për një aksident trafiku në fshatin Kutllovc, në Mitrovicë. Sipas informatave fillestare, si pasojë e lëndimeve të pësuara në aksident, ka humbur jetën një person, mashkull rreth 31-vjeçar", ka thënë Sahiti.
Ai ka bërë të ditur se hetuesit policorë, në koordinim me prokurorin, janë duke zhvilluar hetime për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.























