Aksident me të lënduar në rrugën Mitrovicë-Prishtinë
Valmira Saraçi|RTKlive
Katër persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti të ndodhur sot në orët e pasdites në fshatin Kçiq në rrugën Mitrovicë-Prishtinë.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiri tha për RTKlive se në këtë aksident kanë qenë të përfshira dy vetura.
“Rreth orës 16:30, në rrugën nacionale Mitrovicë–Prishtinë, në segmentin rrugor në fshatin Kçiq, ka ndodhur një aksident trafiku me lëndime. Në aksident janë përfshirë dy vetura, ku si pasojë e aksidentit lëndime trupore kanë pësuar katër persona. Të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor, ndërsa njësitet përkatëse policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po hetojnë rrethanat e aksidentit”, tha Zahiri për RTKlive.
RTKlive ka kontaktuar edhe zëdhënësin e Spitalit Rajonal të Mitrovicës, Shpend Fazliu i cili tha se si pasojë e aksidentit ndihmë mjekësore kanë kërkuar 6 persona.
“Në Spitalin e Përgjithshëm "Dr. Sami Haxhibeqiri", në Mitrovicë, në ora 16:55, ndihmë mjekësore kanë kërkuar 6 persona si pasojë e lëndimeve nga aksidenti në trafik. 5 prej tyre janë duke vazhduar trajtimin në Spital, përderisa një fëmijë ( 2019) në gjendje më të rënduar është transferuar për trajtim të mëtejmë në QKUK. Për 5 të lënduarit tjerë po kryhen ekzaminimet diagnostike dhe trajtimet tjera të nevojshme nga stafi i Emergjencës”, tha Fazliu për RTKlive.























