330 gjoba për përdorim të telefonit gjatë ngasjes në rajonin e Ferizajt
M.Shefkiu/RTKlive
Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka shqiptuar 330 gjoba ndaj shoferëve që janë kapur duke përdorur telefonin mobil gjatë ngasjes së automjetit vetëm gjatë muajit shkurt 2026.
Sipas policisë, përdorimi i telefonit gjatë drejtimit të automjetit vazhdon të mbetet një nga shkaqet kryesore të aksidenteve rrugore, duke paraqitur rrezik serioz për sigurinë e shoferëve dhe të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion.
Autoritetet policore kanë apeluar tek qytetarët që të shmangin çdo formë shpërqendrimi gjatë ngasjes, duke theksuar se edhe një sekondë pakujdesie mund të ketë pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin e njerëzve.
Policia ka bërë të ditur se qytetarët mund të raportojnë shkeljet e rregullave të trafikut drejtpërdrejt në stacionet policore, përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë”.























